Mbretëria e Bashkuar do të japë 45 milionë funte për të ndihmuar Ukrainën

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar financime të mëtejshme për të ndihmuar grupet e njerëzve më nevojë brenda Ukrainës dhe në kufijtë e saj, shkruan BBC.

Një paketë prej 45 milion funte do të shkojë për agjencitë dhe bamirësitë e OKB-së që punojnë për të mbështetur ata që janë më të rrezikuar nga abuzimi dhe dëmtimi, tha Sekretarja e Jashtme Liz Truss në një deklaratë të qeverisë.

“Ndihma britanike po mbështet më të rrezikuarit në Ukrainë, veçanërisht gratë dhe fëmijët, të cilët po përballen me rrezik të shtuar të dhunës seksuale dhe shfrytëzimit,” citohet të ketë thënë ajo.

Zyrtarët thonë se kështu do të shpërndahen paratë:

15 milionë funte do të shkojnë për Fondin Humanitar të OKB-së në Ukrainë (UHF)

15 milionë funte do t’i shkojnë UNICEF-it, agjencisë së OKB-së për fëmijë

10 milionë funte do të financojnë organizatat humanitare në vendet kufitare për të mbrojtur gratë dhe fëmijët që po ikin atje

5 milionë funte do të shkojnë për Federatën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq në Ukrainë

Do të ketë gjithashtu një shtesë prej 20 milion £ për ndihmë humanitare për refugjatët ukrainas në Poloni.

Ky financim i fundit e sjell paketën e ndihmës së MB-së për Ukrainën në 220 milion £.