Mbretëria e Bashkuar dhuron 1.6 miliardë dollarë shtesë në mbështetje ushtarake për Ukrainën

(Photo by Chris J Ratcliffe/Getty Images)

Mbretëria e Bashkuar do të sigurojë 1.3 miliardë paund të tjera (1.6 miliardë dollarë) mbështetje ushtarake dhe ndihmë për Ukrainën, tha në një deklaratë Thesari i vendit.

Njoftimi vjen përpara një samiti virtual të G7 të dielën, ku do të përfshihet edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, shkruan CNN.

Premtimi shënon “normën më të lartë të shpenzimeve ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar për një konflikt, që nga kulmi i fushatave në Irak dhe Afganistan”, sipas një deklarate të Thesarit të shtunën.

Në fillim të kësaj jave, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson premtoi 300 milionë £ (370 milionë dollarë) mbështetje ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë pajisjet e luftës elektronike, një sistem radari kundër baterive, pajisje bllokimi GPS dhe mijëra pajisje për shikim natën. Thesari tha se kjo do të financohej nga rritja prej 1.3 miliardë paund.

Sipas deklaratës, ajo i shtohet “mbështetjes ekzistuese të Britanisë prej 1.5 miliardë £ (1.85 miliardë dollarë), e cila përfshinte rreth 400 milionë £ (494 milionë dollarë) në ndihmë humanitare dhe grante për qeverinë ukrainase, dhe zhbllokimin e mbi 700 milionë £ (864 milionë dollarë) në kreditimin nga Banka Botërore përmes garancive”.

Johnson dhe sekretari i tij i mbrojtjes do të organizojnë një takim të kompanive të mbrojtjes më vonë këtë muaj “për të diskutuar rritjen e prodhimit në përgjigje të kërkesës në rritje të krijuar nga konflikti në Ukrainë dhe një zhvendosje globale nga armatimet e prodhuara nga Rusia”, shtohet në deklaratë.

Premtimi i ri pothuajse dyfishon angazhimet e mëparshme të MB për shpenzimet në luftën në Ukrainë./Shiqp.com