Mariupol ende nuk ka rënë plotësisht nën pushtimin rusë

Getty Images

Shtetet e Bashkuara ende e konsiderojnë qytetin e Mariupolit si të kontestuar dhe jo plotësisht nën kontrollin e forcave ruse.

Një gjë të tillë e ka thënë një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, shkruan BBC.

Rusia ka pohuar se mbi 1 mijë marinsa ukrainas janë dorëzuar në Mariupol, ku luftimet janë intensifikuar që nga fillimi i luftës.

Duke folur me gazetarët në një konferencë, zyrtari tha se sulmet ajrore ruse mbeten të përqendruara në Mariupol dhe në zonën JFO [Operacionet e Forcave të Përbashkëta], duke iu referuar zonës në të cilën forcat ukrainase po luftojnë në Donbasin lindor.

Numri mesatar i fluturimeve ajrore ruse gjatë 24 orëve të fundit ka qenë afërsisht 150, që zyrtari tha se ishte një rënie e lehtë nga mesatarja e mëparshme ditore prej 200.

SHBA gjithashtu pret të dorëzojë më shumë drone ‘Switchblade’ në Ukrainë në ditët në vijim. Të martën, zyrtari tha se një numër “i rëndësishëm” i grupit të parë prej 100 kishte mbërritur tashmë.

Ai shtoi se SHBA-ja po eksploron një sërë vendndodhjesh në krahun lindor të NATO-s për të trajnuar trupat ukrainase se si të përdorin Switchblades.

Mariupoli është shkatërruar nga bombardimet ruse që në ditët e para të luftës, ata të bllokuar brenda kanë shumë pak ose aspak ushqim dhe ujë./Shqip.com