Maqedonia e Veriut kërkon që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje me njohje reciproke

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të arrijnë një marrëveshje ku në fund të marrëveshjes të ndodh edhe njohja reciproke midis këtyre dy shteteve.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani është shprehur se njohja reciproke është e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Republika e Maqedonisë së Veriut po ndjek me kujdes situatën në veri të Kosovës, përkeqësimi i mëtutjeshëm i së cilës mund të përbëjë një sfidë serioze për stabilitetin e rajonit. Gjetja e një zgjidhjeje të përhershme që do të sigurojë njohje reciproke dhe një të ardhme evropiane për të dyja vendet, është e vetmja rrugë për një normalizim afatgjatë të marrëdhënieve që është me interes jo vetëm për të dyja palët, por edhe për të gjithë rajonin”, ka shkruar Osmani.

Pas largimit nga institucionet e Kosovës gjatë ditës së djeshme, dhe dorëheqjes së Goran Rakiçit nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës, edhe Kryetarët dhe këshilltarët e katër komunave veriore kanë dhënë dorëheqje.

Dorëheqjen e kanë dorëzuar edhe kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Gjatë ditës së djeshme në pjesën veriore të vendit u mbajt një protestë e organizuar nga ana e serbëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë ta ruajnë qetësine e sigurinë.Sipas tij Lista Serbe është vegël e presidentit Vuçiq, që e kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës  të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme.