Macron kërkon ndalimin e plotë të eksporteve të qymyrit dhe naftës nga Rusia në BE pas “krimeve të luftës” të Bucha

Emmanuel Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se është “dëshira e tij” për të parë një bllokim total të eksporteve ruse të qymyrit dhe naftës në Bashkimin Evropian “këtë javë”, pas zbulimit të asaj që ai e përshkroi si “krime lufte” në qytetin ukrainas Bucha.

Duke folur të hënën në transmetuesin francez France Inter, Macron tha se ka “shenja shumë të qarta” se krimet e luftës janë kryer në Bucha dhe, “është mjaft e vërtetuar se është ushtria ruse” ajo që është përgjegjëse për to, shkruan BBC.

“Nuk mund ta lëmë të rrëshqasë. Ne duhet të kemi sanksione që të dekurajojnë me atë që ka ndodhur atje (në Bucha), atë që po ndodh në Mariupol” tha ai.

Macron potencoi se do të kishte diskutime me partnerët e tij evropianë këtë javë në lidhje me sanksionet e mëtejshme.

“Ata që qëndrojnë pas këtyre krimeve duhet të përgjigjen për to,” shtoi ai.

“Ne duhet të dërgojmë sinjalin shumë të qartë se është dinjiteti ynë kolektiv dhe janë vlerat tona që ne mbrojmë,” shtoi ai. “Nuk ka paqe pa drejtësi.”

Franca është e gatshme të ndihmojë Ukrainën në hetimin e saj të ngjarjeve në Bucha, tha Macron.

Teksa, refuzoi të deklarojë nëse presidenti rus, Vladimir Putin duhet të përballet me gjyqin për atë që ndodhi atje.