Macron: Imazhet e Bucha janë të padurueshme dhe Rusia duhet të përgjigjet për krimet

Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka përshkruar imazhet nga Bucha si “të padurueshme”.

Macron ndau dhembshurinë e tij për ukrainasit dhe viktimat, duke shtuar: “Autoritetet ruse do të duhet të përgjigjen për këto krime”.

Udhëheqësi francez – i cili përballet me zgjedhje kombëtare këtë muaj – ka folur rregullisht me presidentin rus, Vladimir Putin gjatë gjithë periudhës së ndërtimit të pushtimit dhe më pas, dhe është pozicionuar si ndërmjetës për paqen.

Edhe liderët tjerë botërorë kanë dënuar sot skenat në zonat e lëna pas nga forcat ruse ndërsa ato tërhiqen nga rrethi i Kievit.

“Ky krim i tmerrshëm lufte nuk mund të mbetet pa përgjigje,” tha zëvendëskancelari gjerman Robert Habeck në një intervistë për gazetën Bild.

Habeck shtoi: “Unë mendoj se kërkohet forcimi i sanksioneve. Kjo është ajo që ne po përgatisim me partnerët tanë të BE”, raporton BBC.

Duke shkruar në Twitter, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha: “E tmerruar nga raportet e tmerreve të papërshkrueshme në zonat nga të cilat Rusia po tërhiqet.

“Një hetim i pavarur nevojitet urgjentisht. Autorët e krimeve të luftës do të mbahen përgjegjës.”

Raporte të shumta për dhunën ruse kundër civilëve kanë dalë nga Bucha afër Kievit, duke përfshirë një pretendim të pakonfirmuar nga zyrtarët ukrainas se qyteti është detyruar të varros 280 njerëz në varre masive.