Macron i shqetësuar për sigurinë bërthamore në Ukrainë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha të premten se është jashtëzakonisht i shqetësuar për rreziqet për sigurinë bërthamore.

Macron shtoi se Franca, së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, kanë bërë thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë çështje.

“Presidenti i Republikës dënon fuqishëm çdo sulm ndaj integritetit të objekteve bërthamore nga forcat ruse gjatë agresionit të tyre ushtarak kundër Ukrainës. Është e domosdoshme të garantohet siguria e tyre”, thuhet në deklaratën e dërguar nga Pallati Elysee.

Presidenti francez i bëri thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë veprimet e saj të paligjshme dhe të rrezikshme ushtarake.

“Rusia dhe Ukraina duhet të arrijnë një marrëveshje mbi këtë bazë dhe së bashku të sigurojnë zbatimin e parimeve themelore për ruajtjen e sigurisë bërthamore dhe të sigurisë së objekteve bërthamore në kontekstin aktual”, përfundoi deklarata e Elysee./Shqip.com