Lista Serbe lëshon seancën: Po cenoni popullin tonë
Deputetët e Listës Serbe janë larguar nga seanca e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për referendumin serb.
Kryetari i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Igor Simiq, në fjalën e tij para se të largohej, tha se po e lëshojnë seancën sepse “nuk dëshirojnë të legjitimojnë diçka që është antiserbe”.
Ai po ashtu kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që ta ndryshojë vendimin dhe të lejojë mbajtjen e referendumit kushtetues të Serbisë në Kosovë.
“Nuk dëshironi që t’i lejoni serbët të shprehen në referendum, diskriminimi i popullit tonë është i qartë. Ju po cenoni popullin tonë dhe doni t’ia vështirësoni serbëve jetën këtu”.
“Në emër të Listës Serbe ju bëj thirrje që ta ndryshoni vendimin tuaj dhe të veproni mbi të gjitha ato parimet që jeni thirrur dhe të mos veproni në këtë kampanjën anti-serbe”.
“Ne nuk do të vazhdojmë të jemi pjesë e kësaj seance sepse nuk dëshirojmë të legjitimojmë diçka jolegjitime dhe anti-serbe”, u shpreh ndër të tjera Simiq.