Lideri i Hezbollah: Nuk e dinim që Hamas do sulmonte Izraelin, beteja e tyre është legjitime

Sayyed Nasrallah, lideri i Hezbollahut, mbajti një fjalim në Bejrut, duke folur publikisht për herë të parë që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor. “Beteja jonë është plotësisht legjitime, nga pikëpamja ligjore dhe fetare, kundër pushtuesit sionist”, tha udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Fjalimi i tij me rastin e “Festës së dëshmorëve të rënë në rrugën për në Jeruzalem”, duke iu referuar rreth 60 luftëtarëve të Hezbollahut të vrarë nga 8 tetori e deri më sot në përleshjet me ushtrinë izraelite në Libanin jugor, u transmetua drejtpërdrejt në TV. “Beteja është përhapur në shumë fronte, qeveria izraelite është budallaqe dhe ekstremiste. Vuajtjet e popullit palestinez në dekadat e fundit kanë qenë të mëdha, veçanërisht tani që në Izrael ekziston një qeveri e djathtë që shkel të drejtat e njeriut”, u shpreh në fjalimin e tij Nasrallah, duke shpjeguar nga erdhi ajo që ndodhi më 7 tetor. “Sulmi i Hamasit i quajtur “Përmbytja e Al-Aksa”, është një “operacion gjithë-palestinez, sekret dhe i suksesshëm”. Tha lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, duke nënvizuar se “askush nuk e dinte” se çfarë do tq bënte Hamasi. “Vendimi dhe zbatimi i tij është i gjithi palestinez, dhe fakti që askush nuk e dinte për të, tregon se kjo betejë është tërësisht palestineze”.