Lajçak nis vizitën në Ballkan më 14 dhjetor

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka konfirmuar se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllav Lajçak, do të udhëtojë më 14 dhjetor në rajonin e Ballkanit për të ndihmuar në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Sipas tij, BE-ja ka gatishmëri që të dërgojë përforcime për misionin e BE-së në Kosovë, EULEX.

Borrell ka konfirmuar se situata në veri të Kosovës ka qenë temë diskutimi në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së.

Sipas njoftimit, të gjithë ata janë pajtuar se duhet “të merren hapa për uljen e tensioneve”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Gjatë ditës së djeshme, presidenti i Serbisë ka njoftuar se Lajçak së bashku me këshilltarët e kancelarit gjerman Scholz dhe presidentit të Francës, Macron më 17 dhjetor do të vizitojnë Serbinë.

Sot për vizitë në Kosovë ka qëndruar i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pas takimit të zhvilluar me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ai është shprehur se kjo vizitë është e rregullt.

“Nuk kam ndonjë koment. Jam pjesë e një angazhimi rutinor tashmë këtu. Jemi partnerë të mirë dhe është bukur që të qëndrojmë në komunikim të vazhdueshëm. Do të kem më shumë të them pak më vonë pasi do të kemi edhe disa takime, pastaj do të dikutojmë” ka thënë Escobar.

Nga ana tjetër, Presidenca përmes një njoftimi ka thënë se Osmani ka biseduar me Escobarin për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe ka shprehur nevojën për heqjen e menjëhershme të barrikadave.

Në takimet e Escobarit me Osmanin e Kurtin mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.