Kurti sot do të takohet me Lajçakun dhe Escobarin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të takohet me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kjo është bërë e ditur nga zyra e kryeministrit përmes një njoftimi për media.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftimin e ZK-së.

Takimi në mes Kurtit, Lajçakut dhe Escobarit do të fillojë nga ora 15:30 në ndërtesën e Qeverisë.

Kujtojmë se Kurti dhe Escobar janë takuar edhe gjatë ditës së djeshme.

Para takimit me Kurtin, Escobar është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Vizita e Lajçakut dhe Escobarit në Kosovë erdhi në kohën kur vendi po përballët me tensione të vazhdueshme në veri.