Kurti paraqet rezolutën para deputetëve, “askujt s’po i mohohet e drejta për votim”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lexuar para deputetëve të Kuvendit pikat e Rezolutës të cilën u ka kërkuar që ta votojnë për të treguar se janë kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.
Ai në seancën e jashtëzakonshme për referendumin serb, ka thënë se votimi mund të bëhet përmes zyrës ndërlidhëse ose postës. Sipas tij, “askujt s’po i mohohet e drejta për votim”.
“Askush askujt nuk po i cenon të drejtën e votës, thjesht nisur nga fakti që detyrën e ambasadës së Serbisë në Kosovë e ushtron zyra ndërlidhëse në Prishtinë, votimi për referendum mund të bëhet në këtë zyrë në pajtim me ligjin e Kushtetutën tonë”.
“Serbët e Kosovës në këto vite nuk kanë votuar si votues jashtë vendit, por brenda vendit. Problemi nisë nga Kushtetuta e Serbisë që Kosovën e trajton si njësi brenda saj, Kushtetutë që daton më herët se shpallja e pavarësisë së Kosovës”.
“Megjithatë një praktikë e gabuar e vendosur nëpër vite nuk e arsyeton vazhdimin e gabimit të njëjtë. Pëlqimi i autoriteteve nuk është mbi ligjin. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të trajtohet si i tillë”, është shprehur Kurti.
Rezoluta, siç e ka prezantuar Kurti, përmban tetë pika.
“Kuvendi shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit cenon sovranitetin dhe rendin kushtetuese”, thuhet në pikën e parë, duke vazhduar me “Kuvendi kërkon nga qeveria e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre që të mos cenohet sovraniteti” dhe “Kuvendi thekson përkushtimin për garantim e të gjitha të drejtave të qytetarëve të vetë”.
Me këtë frymë “Kuvendi afirmon të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi që të ushtrojmë të drejtën e votës”.
“Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës. “Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj aksioneve destabilizese të Serbisë” dhe “Kuvendi pret mbështetje nga ndërkombëtaret për qasjen parimore”./SHQIP.com