Kurti i përgjigjet Simiqit: Qeveria jonë nuk është anti-serbe

“Qeveria jonë nuk është kundër serbëve të Kosovës”.

Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, si kundërpërgjigje ndaj deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili akuzoi qeverinë se po vepron kundër serbëve dhe po cenon të drejtat e tyre.

“Unë kam ministër në qeveri që është kryetar i Listës Serbe. Luftimi i krimit dhe korrupsionit në Kosovë nuk bëhet duke pasë parasysh përkatësinë etnike të atyre që janë të dyshuar”, tha Kurti në seancën ku po diskutohet për referendumin e Serbisë në Kosovë.

Shefi i qeverisë tutje u shpreh se “grupet e krimit nuk kanë vetëm një etni”.

“Në këto grupet e krimit zakonisht nuk e gjen vetëm një etni, i gjen disa etni e së paku dy prej tyre, prandaj asnjëherë qeveria s’ka pasur as qasje as intencë anti-serbe, por ësht Serbia që është kundër Kosovës dhe përpjekjeve tona për progres socio-ekonomik dhe për avancim në agjendën evropiane”.

Ai po ashtu ka sqaruar për opozitën arsyet pse është thirr seancë e jashtëzakonshme për referendumin serb në Kosovë.

Kurti ka thënë se nuk ka pasur mundësi që të diskutohet kjo çështje në seancë të zakonshme pasi ende nuk ka filluar sesioni pranveror i Kuvendit.