Kurti: Borelli ka ndryshuar deklaratën, ne nuk kemi lëvizur nga qëndrimet tona

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ka thënë se deri te arritja e marrëveshjes me Serbinë për targat ka ardhur si pasojë e ndryshimit të deklaratave nga Josep Borell.

Sipas tij kjo nuk është marrëveshje vetëm për targat, por është shumë më e rëndësishme e arritje e madhe për shtetin e Kosovës.

“Të hënën në mbrëmje është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët dhe fjala Francë-Gjermani nuk ka qenë askund, pos çështja e targave. Ata që thonë që ajo nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën nuk e dinë për çfarë po flasin.

Nuk është marrëveshje, është dakordim. Është deklaratë e Borrellit. Ajo çfarë është bërë mbrëmë është ndryshuar deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë”, ka thënë Kurti para deputetëve në Kuvend.

Tutje, ai ka thënë se 18 gushti është data më e rëndësishmë në këto dy vite sa i përket procesit të dialogut.

Për kryeministrin Kurti, kryediplomati evropian, Josep Borell, më 18 gusht e ka bërë një kontribut të çmuar sepse e ka strukturuar dialogun me kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.

“Me 18 gusht, Borrell ka bërë një kontribut të çmuar sepse e ka strukturuar dialogun me pikën e parë – korniza e përgjithshme e marrëveshjes, mendoj që 18 gushti është data më e rëndësishme në këto dy vite sa i përket procesit të dialogut, pika e dytë – çështjet aktuale. S’mund ta evitojmë pikën e dytë, çështjet aktuale edhe pse nganjëherë duket se janë teknike, meqë lidhen me paqen dhe sigurinë”, ka theksuar Kurti.