Krasniqi- Kurtit: A do të rikthehen serbët në institucionet e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Krasniqit për këtë marrëveshje është bërë një dramë e madhe por që është shumë mirë që më në fund kemi një dakordim me aleatët e Kosovës.

Më tutje Krasniqi i ka parashtuar pyetjet kryeministrit të Kosovës, lidhur me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

“Zoti kryeministër a mundesh të lutem me na informu a do të rikthehen në institucionet e Kosovës serbët e larguar”, ka pyetur Krsaniqi-Kurtin.

Në fund të fjalisë së tij, Krasniqi i ka premtuar Kurtit mbështetjen e PDK-së në dialogun me Serbinë.

Lidhur me këtë marrëveshje gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka folur për arritjen e marrëveshjes.

Sipas Mujës kjo marrëveshje ishte nënshkruar edhe në vitin 2011 por ajo nuk është zbatuar nga ajo kohë.

Ai ka thënë se Qeveria duhet të kritikohet në rast të shkeljes së kushtetutës e po ashtu ka ftuar partitë opozitare që të bëhen bashkë me pozitën lidhur me këtë çështje.

Pas arritjes së marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave ka ardhur edhe reagimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në reagimin e Departamentit të SHBA-ve kërkohet normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Ne përgëzojmë më tej marrëveshjen e dy vendeve për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga BE. Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rruga më e mirë për të avancuar të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës” thuhet fillimisht në reagimin e SHBA-ve.

Po ashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës  mirëpresin vendimin e palëve për të vënë në krye të vendimmarrjes interesat e të gjithë njerëzve të tyre dhe për të ndërmarrë hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre.

“Të dy palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve” thuhet në reagim.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka shpërndarë një deklaratë të lëshuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell pas arritjes së marrëveshjes për targat në Bruksel me dy kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia.

Borrell ka konfirmuar që ditëve të ardhshme palët do të ftohen për të diskutuar për normalizimin e plotë. Tutje, ai ka thënë se mund t’i ndërpres negociatat, nëse palët e bllokojnë procesin.

Mes tjerash, në deklaratë thuhet se palët kanë rënë dakord që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm dhe me urgjencë të përqendrohen te normalizimi i plotë i marrëdhënieve, përmes propozimit të njohur si franko-gjerman, të mbështetur nga BE, thuhet mes tjerash në deklaratë.