Krasniqi: Kurti kishte marrëveshje të fshehtë me Vuçiqin

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në konferencën vjetore për fundvit, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Kurti, duke thënë se kishte marrëveshje të fshehur me presidentin Vuçiq, rreth largimit të barrikadave.

“Evidente është që kryeministri Kurti ka pasur marrëveshje të fsheftë me presidentin serb për heqjen e barrikadave, duke u pajtuar të liroj ish-policin serb, Dejan Pantiq. Tentimi me i ik kësaj përgjegjësie, duke tentuar të linçoj prokurorët e gjyqtarët është e dëmshme.

Kurti është duke e kuptuar, andaj tendenca për ta shpikë një narracion të ri, kinse nuk ka qenë në dijeni se çka është tu ndodhë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, fakti që Vuçiq flet për gjendjen në veri të Kosovës, është një shqetësim në vetë.

“Presidenti i Serbisë nga Rashka na tregon se çka do të ndodhë në territorin tonë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë tonë. Vuçiq po vendos se kur do të ketë lëvizje të lirë në veri, ky është shqetësim i madh për secilin”, është shprehur Krasniqi.

Tutje, i pari i PDK-së, ka deklaruar se Qeveria Kurti është pajtuar që t’i amnistojë kriminelët që kanë qëndruar në barrikada, e kjo është e pashembullt

“Bandat kriminale e kanë mbajtur peng shtetin dhe sovranitetin tonë. Kjo është e vërtetë përtej dallimeve politike. Të gjitha burimet po thojnë se kjo qeveri është pajtu me i amnestu kriminelët që kanë qëndruar në këto barrikada. Kjo asnjëherë nuk ka ndodhë dhe është e pashembullt”, ka thënë Krasniqi.