Krasniqi i dërgon letër Kurtit lidhur me situatën në Kosovë

Memli Krasniqi - kryetar i PDK-së
Memli Krasniqi - kryetar i PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi I ka dërguar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit lidhur me situatën në veri.

Në letrën dërguar Kurtit, thuhet se PDK është  e gatshme për komunikim të hapur dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në territorin e Kosovës.

“Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, jua shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, thuhet në letrën e PDK-së

Përmes kësaj letre, Krasniqi e ka cilësuar shqetësuese situatën në veri të Kosovës.

“Zhvillimet e fundit në komunat e pjesës veriore të Republikës së Kosovës janë shqetësuese. Tërheqja nga detyra dhe përgjegjësitë institucionale e Kryetarëve të Komunave, asamblistëve komunal, zyrtarëve policor, punonjësve të sistemit të drejtësisë e të administratës publike, përbën një akt të paprecedent dhe krijon situatë mjaftë problematike për Republikën e Kosovës”.

Sipas Krasniqit, këto veprime cenojnë sovranitetin juridik të Kosovës.