KQZ: Pjesëmarrja në votime deri në ora 11:00 është 8,24%

Pjesëmarrja në votime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 11:00 pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje lokale është 8,21 për qind.

Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se përqindja më e madhe është në Mitrovicën e Veriut me 30.96%, ose 5.486 votues.

Ndërsa Prizreni është komuna me më së paku votues, me 6.16% të personave që kanë votuar deri në orën 11.

Numri i qytetarëve që kanë votuar deri me tani është 150 mijë e 737 persona, ku të drejtë votë kanë një milion e 885 mijë e 448 qytetarë.

“Sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar nga rreth 98% e vendvotimeve, numri qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 8.2% apo rreth 152 mijë votues nga 1 milion e 885 mijë e 448 votues. Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishin votuar 195 mijë e 473 votues apo 10.34% e votuesve”, ka deklaruar ai.

18 parti politike, një koalicion, 17 iniciativa qytetare dhe 12 kandidatë të pavarur garojnë në këto zgjedhje.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllën në orën 19:00, por, nëse ka votues duke pritur pas orës 19:00, procesi vazhdon edhe për disa minuta.