Komisioni i OKB-së për të drejtat e njeriut verifikon një mijë e 123 viktima civile në Ukrainë

Ukraina

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut raportoi të dielën se ka verifikuar një mijë e 123 viktima civile në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se viktimat përfshijnë 364 civilë që janë vrarë, duke përfshirë 25 fëmijë, si dhe 759 civilë të tjerë janë plagosur në luftime, ku nga ta 41 janë fëmijë.

Kjo zyre tha se po raporton vetëm viktima të verifikuara civile dhe tha se shifrat reale vlerësohet se janë shumë më të larta.

Shumica e viktimave civile të regjistruara janë bërë shkak i përdorimit të armëve shpërthyese me një zonë të gjerë ndikimi, duke përfshirë granatimet nga artileria e rëndë, sistemet e raketave me shumë lëshime si dhe sulmet me raketa ajrore.

Të paktën 503 nga viktimat civile kanë qenë në provincat Donetsk dhe Luhansk të kontrolluara nga Rusia të rajonit Donbas të Ukrainës lindore, duke përfshirë 88 të vdekur. Ndërsa në zonat e kontrolluara nga qeveria ukrainase të rajonit të Donbas janë 374 viktima të tjera civile, përfshirë 65 të vdekur, raporton ABC news.

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara raportoi se në rajone të tjera të Ukrainës – duke përfshirë qytetet e Kievit, Cherkasy, Chernihiv, Kharkiv, Kherson, Mykolaiv, Odesa, Sumy, Zaporizhzhia dhe Zhytomyr — 276 civilë kanë vdekur dhe 344 janë plagosur.