KFOR: Rruga e vetme drejtë paqes është dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë

Trupat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë kanë thënë se e vetmja rrugë drejtë paqes është që Kosova dhe Serbia të zgjedhin çështjen e tyre nëpërmjet dialogut.

Përmes një postimi në Twitter, KFOR-i thotë se është i rëndësishëm shmangia e çdo përshkallëzimi.

“E vetmja rrugë drejt paqes është që Beogradi dhe Prishtina të zgjidhin çështjet e tyre nëpërmjet dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Është e rëndësishme të shmangim çdo përshkallëzim të ri. KFOR mbetet tepër vigjilente & plotësisht e aftë për të përmbushur mandatin e saj të OKB- së”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura.

Me 10 dhjetor, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejtë organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.