Këshilltarja e Haxhiut: Kosova ka ligje por nuk ka veprim ligjor

Këshilltarja politike e ministres së Ministrisë së Drejtësisë, Nazlie Bala ka thënë se Kosova nuk ka mungesë të ligjeve por ka mungesë të zbatimit të tyre.

Në një emision televiziv, Bala ka thënë që nuk po ka veprim të gjuhës së ashpër ligjore.

 “Kosova nuk vuan nga mungesa e ligjeve, ne nuk vuajmë as nga aspekti i hartimit të dokumenteve, ajo çka vuajmë është moszbatimi dhe mosveprimi i gjuhës të ashpër ligjore në të gjitha rastet e dhunës në familje. Është një trekëndësh, prokuroria, gjyqësia, policia. Brenda këtyre udhëzohen ndërmerren të gjitha veprimet për ofrimin e shërbimeve për viktimën. Është që nga marrja e deklaratës e deri te shërbimi i fundit”, tha Bala.

Në trekëndëshin e përmendur nga Bala, ajo thotë se nuk janë vetëm këta përgjegjës.

“Në këtë trekëndësh nuk janë vetëm këta të fundit, por janë mbrojtësit e viktimave qendra për punë sociale, strehimoret, të cilat janë në linjë direkte si përgjigje institucionale ndaj çdo rasti që raportohet si dhunë në familje. Për ta procedu një rast, është e rëndësishme cila shkallë e rrezikshmërisë përcaktohet nga ky trekëndësh”.

Bala tha se nëse shkalla e rrezikshmërisë nga institucionet përkatëse nuk vlerësohet si duhur, atëherë gjithmonë do të ketë dështim të rastit të cilët mund të përfundojnë edhe me fatalitet.

Kujtojmë se në mbrëmjen e djeshme është vrarë një grua shtatzënë në oborrin e QKUK-së nga një person i cili dyshohet se është ish-bashkëshorti i saj.

Policia e Kosovës ka gjetur veturën e personit që dyshohet se vrau 35 vjeçaren në QKUK.

Sipas raportimeve, vetura është gjetur në Shtime në parkun “Ahmet Shtimja”.

Sipas njoftimit nga Gjykata më datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëgjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje.

Kurse, sot është mbajtur protestë lidhur me këtë rast.

Disa nga protestuesit kanë hedhur edhe zjarr në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Thirrjet e protestuesve ishin nga më të ndryshmet: Me pankartat “Historinë e Kosovës po e shkruani me gjak të grave”,  “Dorëheqja nuk mjafton”, “Polici i keni duart me gjak”, “Hapësirat private e publike të pasigurta”.