KASh për situatën në veri: Në asnjë shtet nuk mund të ketë institucione paralele

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Përmes faqes së tyre zyrtare, KASH, ka thënë në asnjë shtet nuk mund të ketë sisteme juridike dhe institucione paralele.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po përcjell me shqetësim zhvillimet në komunat veriore të Republikës së Kosovës, të banuara me shumicë të popullsisë serbe. Refuzimi i zbatimit të urdhrave ligjorë të strukturës drejtuese të policisë së Kosovës, nga eprorët e policisë të komunitetit serb në veri, është veprim jo vetëm kundër ligjor, por dhe provokues e i rrezikshëm. Në asnjë shtet nuk mund të këtë dy sisteme juridike dhe institucionale paralele”, thuhet në reagimin e tyre.

KASH ka thënë se tensionet në veri janë shkak i dirigjimeve të bëra nga Beogradi.

“Tensionimi i situatës në komunat veriore të Republikës së Kosovës dhe dirigjimi i këtij tensionimi nga struktura që drejtohen nga Beogradi, është një lojë e rrezikshme. Për më tepër, kur kjo përkon me tendencën e vazhdueshme të Rusisë së Putinit për të përshkallëzuar luftën agresive në Ukrainë”.

Po ashtu, KASH ka kërkuar edhe nga Qeveria e Shqipërisë që të dal haptazi në mbështetje të Kosovës.

“KASH mbështet çdo veprim të shtetit të Kosovës për të mbrojtur rendin demokratik dhe bën thirrje për ulje të tensioneve. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë kërkon nga Qeveria e RSH që të qëndrojë haptazi dhe aktivisht në mbështetje të së drejtës legjitime të shtetit të Kosovës për të zbatuar rendin dhe ligjin në tërë territorin e saj. Shqipëria e ka detyrim kushtetues, moral dhe kombëtar të mbështesë forcimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, sidomos në iniciativa rajonale, si dhe fuqizimin e  brendshëm të saj”.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që deri me 21 nëntor të bëjë qortimin ndaj shoferëve të cilët vozisin automjete me targa të lëshuara nga autoritetet e Serbisë e që cilësohen ilegale në Kosovë.

Pas datës 21 për të vazhduar deri me 21 janar është masa për shqiptimin e gjobave ndaj këtyre shoferëve. Për dy muaj të tjerë do të ketë tabela testuese si dhe lehtësira në regjistrim deri me 21 mars por, pas kësaj date nuk do të ketë më lehtësira.

Data 21 prill e vitit të ardhshme shënon afatin e fundit që lejon qarkullimin e automjeteve me targa ilegale Brenda territorit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën kërkuar nga Kosova shtyrje të afatit për targa por kjo kërkesë nuk u merr parasysh.

Të njëjtën linjë me SHBA-në qëndron edhe Bashkimi Evropian – Ata e quajnë legjitim vendimin për targa por thonë se kjo duhet të  bëhej Brenda një periudhe kohore prej 12 muajsh.

Kjo situatë ka ndikuar edhe në gjendjen në veri të Kosovës – Qeveria ka pezulluar drejtorin e Policisë Rajonale në Veri Nenad Gjuriq për shkak se nuk e zbatonte vendimin për qortim ndaj qytetarëve serb.

Në shenjë proteste, Lista Serbe ka kërkuar që të gjithë serbët të bojkotojnë institucionet e Kosovës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë zhveshur dje uniformat e tyre.

Nga detyra e ministrit të Kosovës ka dhënë dorëheqje edhe Goran Rakiq, ndërsa gjatë ditës së sotme kësaj ju janë bashkuar edhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe.

Sot gjatë ditës është mbajtur edhe një protestë në veri, nga e cila u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.