Jashari e sheh si sfidë në mandatin e tretë dialogun me Kurtin

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, është shprehur se vitet e fundit sistemi arsimor është përballur me shumë sfida.

Në mesin e tyre zhvillimi i procesit mësimor në pandemi.

“Arsimi në Kosovë që nga paslufta ka pasur sfida, por ne jemi munduar që të japim kontributin në vazhdimësi, në shumë fusha. Ishte një sfidë shumë e madhe sepse kishim frikë së si do të ia dalim, fatmirësisht mosha e re e njeh mirë teknologjinë por mosha më e vjetër kishim paksa frikë” ka thënë Jashari.

Ai ka treguar edhe për sfidat e ardhshme që do ta presin atë në mandatin e tij të tretë.

“Si sfidë tashmë është mos gatishmëri e Qeverisë Kurti për dialog, jo vetëm me SBASHK-un por edhe me sindikatat tjera. Në takimet me zotëri Kurtin në fillim ne kemi shprehur shqetësimet tona, asnjëherë nuk ndodhi ndonjë takim me zotëri Kurti” thotë Jashari.

Sipas Jasharit, kjo është hera e parë që ndodh kjo pasi që ai është shprehur se prej momentin kur ai është në krye të SBASHK-ut, nuk ka ndodhur që kur ka kërkuar takime me kryeministrat e tjerë të ketë pasur refuzime.