Japonia vendos sanksione të reja ndaj Rusisë, përfshihen edhe familjarë të Putinit

Japonia të martën ka vendosur sanksione shtesë kundër Rusisë.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Japonisë, sanksionet përfshijnë asetet e 398 qytetarëve rusë, si dhe dy vajzat e Presidentit Vladimir Putin, Katerina Tikhonova dhe Mariya Vorontsova.

Masat e reja synojnë gjithashtu anëtarët e familjes së ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, përkatësisht gruan e tij Mariya Lavrova dhe vajzën Yekaterina Vinokurova, shkruan CNN.

Japonia ka zgjeruar vazhdimisht sanksionet e saj kundër Rusisë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, duke përfshirë ndalimin e importeve ruse si qymyri dhe vodka, reduktimin e investimeve të reja në Rusi dhe ngrirjen e aktiveve të mbajtura nga bankat kryesore.

Vende të tjera, përfshirë SHBA -në dhe Britaninë e Madhe , kanë vendosur gjithashtu sanksione kundër familjeve të Putinit dhe Lavrov.