Hoti: Paqja në veri sigurohet nga partnerët e Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës, Avduhall Hoti ka folur lidhur me situatën e fundit në veri të vendit.

Ai ka thënë se paqja në veri mund të sigurohet nga partnerët e Kosovës.

“Shpresoj që gjendja të mos përkeqësohet dhe veprimet që janë ndërmarrë në terren të kthehen mbrapa dhe qytetarët t’i rikthehen jetës normale. Situata atje është krijuar me direktiva të Beogradit duke shfrytëzuar një pjesë të komunitetit serb për qëllime të Beogradit. Unë shpresoj që autoritetet në Kosovë të ndërmarrin veprimet e nevojshme në bashkëpunim edhe me partnerët tanë”, ka thënë Hoti.

Më tutje Hoti ka thënë se deklaratat e Vuçiqit për dërgimin e 1 mijë ushtarëve serbë në Kosovë janë deklarata që nuk pijnë ujë.

“Unë besoj që ajo është për retorikë për konsum të brendshëm në Serbi. Çdo politikan me pak mend në kokë e kupton që është një deklaratë që nuk pi ujë. Unë dua të shoh veprime me maturi nga Kosova, koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe përmes dialogut të zgjidhin çështjen. Çdo eskalim i situatës nënkupton aktivizim i Eulex dhe i KFOR për të ruajtur rendin atje. Ne duhet të ruajmë këto arritje që kemi bërë deri tani dhe të shohim përpara”.

Hoti thotë se transparenca për dialogun Kosovë-Serbi deri më tash ka qenë zero.

“Transparenca për dialogun deri tani pothuajse ka qenë zero. Liderët e opozitës janë ftuar zakonisht kur rrjedha e dialogut ka dalë nga normaliteti. Unë besoj se braktisja e kornizës së dialogut ku diskutohej vetëm për njohje reciproke dhe që marrëveshja do të duhej të arrihet vetëm në përputhje me kushtetutën. Besoj kjo e ka sjellë situatën këtu ku jemi”.

Në fund, Hoti thotë se përnarët ndërkombëtarë janë ata që përfundimisht e garantojnë paqen dhe sigurinë në veri të vendit, raporton A2.