Hidrodrini: Situata pas vërshimeve mbetet nën kontroll

Si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e mëdha të shiut, Kompania Rajonale e Ujësjellësit dhe Kanalizimit “Hidrodrini”, po përcjell nga afër situatën e krijuar.

‘Hidrodrini’, ka njoftuar se është në mbikëqyrje në komunat Pejë, Istog, Deçan, Klinë dhe Junik.

“Në të gjitha burimet ka klorinim të nevojshëm dhe vëzhgim të gjendjes pandërprerë. Në përditësimin e mbrëmjes, konstatohet se situata mbetet nën kontroll, mirëpo bëhet thirrje sërish, që të gjithë konsumatorët të cilët vërejnë turbullira të ujit, mos ta konsumojnë për pije pa e vluar”, thuhet në njoftim.

Sipas “Hidrodrini-it” thirrja vlen posaçërisht për zonën e Istogut, Deçanit dhe Klinës.

Gjatë këtyre 24 orëve, ekipet e kompanisë kanë kryer dhjetëra intervenime të lirimin e pusetave dhe kanalizimeve nëpër zonat e prekura që janë nën kompetencën e kompanisë.