Haziri: Largimi i barrikadave nuk ishte vendim i Kurtit as i Vuçiqit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se vendimi për largimin e barrikadave nuk ishte as i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe as i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Përmes një postimi në Facebook, Haziri tha se këtë e bënë partnerët e popullit të Kosovës.

“Veriu i Kosovës nga jonormalja drejt normales për shkak diplomacisë dhe durimit. Vendimi nuk ishte as në dorën e Kurtit e as të Vuçiqit. Ata shkaktuan kaosin e inatit, por partnerët e popullit të Kosovës, me durim dhe diplomaci, filluan normalizimin deri në krizën tjetër që do ta prodhojnë prapë”, shkroi Haziri.

Tutje, Haziri tha se dialogu zgjedh probleme.

Barrikada e vendosur në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë është larguar plotësisht.

Pas orës 20:00 janë larguar edhe mjetet e fundit nga rruga afër Shkollës së mesme teknike në këtë lagje.

Krahas kësaj, heqja e barrikadave ka filluar edhe në pjesët e tjera në veri të vendit ku ishin vendosur gjithsej 12.

Por edhe pse ka filluar heqja e tyre, kufijtë qëndrojnë ende të mbyllur dhe nuk ka ndonjë informacion se kur do të vazhdojë normalizimi i pikave kufitare.

Pika kufitare në Merdarë e cila ishte e mbyllur për shkak të barrikadave tani është e hapur, por e njëjta gjë nuk ka ndodhur me Jarinjën dhe Bërnjakun.

Kujtojmë se ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që ditën e djeshme ka paralajmëruar se të enjten do filloj largimi i barrikadave në Kosovë. Ai shtoi se largimi i tyre mund të zgjas për 24 ose 48 orë.

Bllokimi i rrugës, si pasojë e barrikadave ka shkaktuar probleme në lëvizjen e lirë. Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, tash e më shumë se dy javë mbeten të mbyllura.

Ishte 10 dhjetori kur u bë vendosja e parë e barrikadave, në zonat afër Zveçanit dhe në Leposaviq.

Qëllimi ishte që të bllokohet rruga për të transferuar nga stacioni në Leposaviq, ish-policin serb që ishte arrestuar, Dejan Pantiq.