Haradinaj: Kosova prej sot ka hyrë në një rrugë të dhimbshme

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë së Kosovës pasi që kjo e fundit nuk ekzekutoi pagesat për mësimdhënësit.

Sipas Haradinaj Kosova prej sot ka hyrë në një rrugë të dhimbshme.

“Kosova prej sot ka hyrë në një rrugë të dhimbshme. Vendimet arbitrare të Albin Kurtit, siç është mosrealizimi i pagave për mësimdhënës, janë antikombëtare e antinjerëzore. Po dëshmohet se poshtërsia e tij nuk paska kufij”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq gjatë ditës së sotme është konfirmuar edhe zyrtarisht që Qeveria nuk u ka ekzekutuar pagat mësimdhënësve.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar Hanife Saliu nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit.

“Pagat nuk janë ekzekutuar nga e Qeverisë së Kosovës” ka thënë fillimisht Saliu.

Saliu po ashtu ka paralajmëruar se do të ushtrojnë kallëzim penal ndaj Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati

“Po ndaj ministrit të Financave do të ushtrojmë kallëzim penal” ka thënë Saliu. Më tutje ajo nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë që greva e pezulluar deri në janar të rikthehet përsëri.

“Lidhur me grevën do të diskutojmë me anëtarësinë dhe më pas do të vazhdojmë me hapat e mëtutjeshëm, kjo varet nga deklarimet e anëtarësisë” ka thënë Saliu.

Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transferëve, Hekuran Murati ka thënë se kush punon edhe duhet të paguhet.

Përmes një përgjigje për Kosovapress, Murati tha se patjetër që duhet të respektohet obligimi ligjor që sipas tij ‘kush punon edhe duhet të paguhet’.

“Sipas ligjit. Çka do që thotë ligji, dhe ligji thotë se kush punon duhet të paguhet dhe patjetër që duhet ta respektojmë këtë obligim ligjor”, tha Murti.

Kujtojmë se Ministria e Financave, Punës dhe Transferëve nuk ka proceduar pagat e muajit shtator për mësimdhënësit në Kosovë.

Kjo ka ngjallur pakënaqësi në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës si dhe edhe në opozitë.

Po ashtu, kundër këtij vendimi që të mos ekzekutohen pagat për mësimdhënësit që kanë qenë në grevë, kanë dal edhe disa deputet të Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo në pushtet.