Hapen pikëkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, largohen të gjitha barrikadat

Pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak të cilat kanë qenë të mbyllura për shkak të barrikadave të vendosura në veri të Kosovës, janë liruar plotësisht dhe është mundësuar liria e lëvizjes.

Krahas kësaj, Policia e Kosovës, ka njoftuar se barrikadat e vendosura në atë pjesë, janë larguar ashtu siç ishin vendosur.

“Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak kanë qenë të mbyllur që nga data 10 e këtij muaji.

“Policia e Kosovës (PK), bazuar në autorizimet kushtetuese dhe ligjore në vazhdimësi ka bërë vlerësime mbi situatën e sigurisë në veri të vendit, e cila ishte përkeqësuar që nga data 10.12.2022 kur ishin vendosur barrikadat në rrugë, si pasojë e të cilave ishin mbyllur edhe dy pikë-kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak”.

Tutje, PK-ja ka thënë se liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve.