Hamza monitoron situatën në terren pas reshjeve të mëdha të shiut

Kryetari i komunës së Mitrovicës z. Bedri Hamza së bashku me nënkryetarin e komunës, z. Arian Tahiri si dhe drejtorët komunal kanë përcjellë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e shiut.

Hamza ka bërë të ditur se për momentin gjendja është e menaxhueshme,  ndërkohë që komuna ka mobilizuar të gjithë operatorët dhe ka ngritur kapacitetet e saj në tejkalimin e kësaj situate.

“Brenda kapaciteteve tona jemi duke i marrë të gjitha masat e nevojshme, ku kemi mobilizuar të gjithë operatorët e nevojshëm dhe së bashku me ta jemi në terren. Reshjet e dendura kanë bërë që niveli i ujit në lumenjtë e qytetit të Mitrovicës të rritet dhe kjo ka shkaktuar një situatë serioze prandaj jemi duke e vëzhguar situatën nga afër”, është shprehur kryetari Hamza.

Më tutje, kryetari Hamza ka apeluar tek qytetarët për kujdes të shtuar për shkak të reshurave të shiut që kanë përfshirë komunën e Mitrovicës.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime e përmbytje edhe gjatë ditëve të ardhshme.

Kjo si pasojë e reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës.