Gjermania: Rusia do të vazhdojë të lejojë që pagesat e gazit të bëhen në euro

Rusia do të vazhdojë të lejojë vendet evropiane që të paguajnë gazin e saj me euro dhe jo me rubla siç kishte kërcënuar më parë.

Presidenti rus Vladimir Putin i tha kancelarit gjerman Olaf Scholz se pagesat nga Evropa muajin e ardhshëm do të vazhdojnë të jenë në euro dhe do të transferohen si zakonisht në Gazprom Bank e cila nuk është prekur nga sanksionet, shkruan BBC.

“Scholz nuk ishte dakord me këtë procedurë në bisedë, por kërkoi informacion me shkrim për të kuptuar më mirë procedurën”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit.

Rusia kishte thënë më parë se vendet “jomiqësore” do të duhet të paguajnë për gazin e saj në rubla nga 31 marsi.

Zëdhënësi gjerman shtoi se Scholz mbeti i përkushtuar ndaj një marrëveshjeje të G7 që furnizimet e energjisë nga Rusia do të paguhen vetëm në euro ose dollarë amerikanë.

Gjermania merr rreth gjysmën e gazit dhe një të tretën e naftës së saj nga Rusia dhe ka paralajmëruar se mund të përballet me një recesion nëse furnizimet ndalojnë papritur.