Gërvalla: Sot nisi faza e fundit për vizat, nuk ishte dita e vendimit

Donika Gërvalla-Schwarz, shefja e diplomacisë kosovare

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla

Ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se sot nuk ishte dita e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën por nisja se fazës së fundit të këtij procesi.

Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla tha se ky proces tani është në lëvizje dhe drejt zgjedhjes së tij ashtu siç e meritojnë qytetarët.

“Siç e kemi thënë edhe më parë, sot nuk ishte dita e vendimit. Sot ishte dita e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, i cili kohë të gjatë ka vendnumëruar, por që tani është në lëvizje dhe drejt zgjidhjes së tij, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kosovës prej kohësh”, shkroi Gërvalla.

Gërvalla tha se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ka shënuar një hap të rëndësishëm sot në Bruksel duke përmendur edhe njoftimin e presidencës çeke.

“Sot në Bruksel, procesi i liberalizimit të vizave shënoi një hap shumë të rëndësishëm përpara. Diskutimi i mbajtur në Grupin Punues për Viza të Këshillit të BE-së, siç njoftoi edhe Presidenca çeke, ishte shumë pozitiv dhe përkrahës. Para vendeve anëtare, Komisioni konfirmoi edhe një herë se Kosova i ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe rekomandimi pozitiv që Komisioni ka bërë qysh në vitin 2018 mbetet i vlefshëm.”.

Ministrja e Punëve të Jashtme, ka falënderuar kryesuesen e Këshillit të Çekisë për angazhimin në këtë proces të rëndësishëm të Kosovës.

“Ne e mirëpresim vendosjen e çështjes së vizave në agjendë të Këshillit, për herë të parë në këtë formë. Po ashtu falënderojmë Kryesuesen e rradhës të Këshillit, Republikën e Çekisë, për angazhimin që procesi të ecë përpara sa më parë. i jemi falendërues vendeve anëtare që shprehin përkrahje për procesin që do duhej përmbyllur me heqjen e barrikadave të izolimit për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka thënë se Kosova vazhdon t’i përmbushë kriteret për liberalizim të vizave.

Sipas tyre, grupi i punës së Këshillit të Bashkimit Evropian përshëndeti gjerësisht rihapjen e diskutimit mbi këtë temë dhe në përgjithësi mbështeti procesin e liberalizimit të vizave.

“Më 13 tetor, Grupi Punues për vizat i Këshillit të BE-së e ka mbajtur diskutimin e parë për liberalizimin e vizave për Kosovën nën Presidencën çeke. Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e përditësuar teknik për këtë temë i cili rikonfirmon që Kosova vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave.

Grupi i Punës përshëndeti gjerësisht rihapjen e diskutimit mbi subjekt dhe në përgjithësi mbështeti procesin e liberalizimit të vizave. Për të përparuar në këtë çështje do të jetë e nevojshme të sqarohen një sërë temash të lidhura dhe të vazhdohet diskutimi”, thuhet në njoftimin e Presidencës çeke.

Ndryshe, në mbledhjen e mbyllur të Këshillit të Bashkimit Evropian është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Siç ka kuptuar REL, ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.