Gazetarit rus i është dhënë shtetësia ukrainase pasi denoncoi luftën

Ukraina i ka dhënë nënshtetësinë një gazetari të njohur rus i cili u largua nga Rusia me gruan e tij pasi denoncoi pushtimin e Ukrainës nga Kremlini, tha një zyrtar i lartë ukrainas raporton BBC.

Moska kishte kërkuar arrestimin e Alexander Nevzorov pasi ai postoi detaje në rrjetet sociale në lidhje me sulmin vdekjeprurës të Rusisë në një maternitet në qytetin ukrainas të Mariupol.

Ai u largua nga Rusia me gruan e tij në mars.

Rusia e akuzon atë për përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me atë që Moska e portretizon si “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë.

Anton Gerashchenko, një këshilltar i ministrit të brendshëm ukrainas, tha se Kievi i kishte dhënë shtetësinë Nevzorov dhe gruas së tij Lydia.

Nevzorov konfirmoi se kishte marrë nënshtetësinë ukrainase në një deklaratë në Telegram, në të cilën ai tha se lufta e Rusisë ishte një krim dhe Ukraina viktimë e saj.

“Unë mbaj anën e viktimës. Dhe u jam shumë mirënjohës atyre njerëzve të munduar, të dëshpëruar, të gjakosur të Ukrainës që më lejuan të zë vendin tim mes tyre,” tha ai./Shqip.com