Gati 200 fëmijë të vrarë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë

Rreth 191 fëmijë janë vrarë dhe 349 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha se disa fëmijë kanë vdekur ditët e fundit për shkak të bombardimeve në verilindje dhe jug të Ukrainës, shkruan CNN.

Trupat e djegur të një vajze 16-vjeçare dhe një djali 10-vjeçar u gjetën në fshatrat Borodianka, në veriperëndim të Kievit dhe Korolivka, në Ukrainën perëndimore.

Fëmijët janë gjithashtu në mesin e viktimave nga bombardimet në qytetin verilindor të Kharkiv, thuhet në deklaratë.

Një vajzë 15-vjeçare u plagos rëndë gjithashtu kur një municion goditi një ndërtesë banimi në rajonin jugor të Khersonit.

Ukraina ndodhet në ditën e 49-të të luftimeve, ndërkaq pushtimi rus vazhdon ende në zona të banuara të qyteteve, duke lënë kështu të vrarë civilë.