EULEX shton praninë e forcave në veri të vendit

Misioni i Eulex-it ka shtuar numrin e forcave në veri të vendit pas zhvillimeve të fundit.

Kjo është bërë e ditur përmes një përgjigje për Shqip.com.

“Që nga fillimi i nëntorit dhe me kërkesë të Policisë së Kosovës, tashmë kemi shtuar ndjeshëm patrullat e zbulimit të Njësisë së Formuar të Policisë (NJFP) të EULEX-it në veri të Kosovës në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Përveç kësaj, FPU-ja jonë dhe FPU-ja rezervë po patrullojnë në këmbë edhe në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan/Zveçan. Përmes pranisë tonë të shtuar atje, ne po përpiqemi të sigurojmë popullatën lokale nga të gjitha komunitetet se ata janë të sigurt dhe mund të ndjehen të sigurt”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Shqip.com.

Gjithashtu EULEX-i thotë se varësisht nga situate numri i forcave mund të shtohet përsëri.

“Në varësi të zhvillimeve në terren, nuk mund të përjashtohet një rritje e mëtejshme në NJFP të EULEX-it. FPU-ja e EULEX-it është reaguesi i dytë i sigurisë së Kosovës, që është pjesë e një mekanizmi tre-shtresor të përgjigjes së sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti dhe NATO/KFOR-i është i treti. Në rolin e saj si reagues i dytë i sigurisë, NJFP-ja e EULEX-it do të angazhohet vetëm me kërkesë të qartë të Policisë së Kosovës”.

Më tutje Eulex për Shqip.com thotë se Situata e sigurisë në Kosovë është shumë shqetësuese dhe e tensionuar.

“Situata e sigurisë në Kosovë është shumë shqetësuese dhe e tensionuar. Gjatë fundjavës, pamë një përshkallëzim me një sërë sulmesh, duke përfshirë Policinë e Kosovës, një patrullë zbuluese të EULEX-it dhe gazetarët. Në ditët e kaluara kemi qenë dëshmitarë të një pranie shqetësuese të armatosur, shpesh nga individë dhe grupe të maskuara, në veri të Kosovës. Kjo është e papranueshme. Shqetësimi i rendit publik dhe dhuna duhet të ndalet tani. Personat që janë përgjegjës për këto sulme duhet të mbajnë përgjegjësi” thuhet për Shqip.com nga Eulex.

EULEX-i mbetet vigjilent dhe po monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës. Ne do të vazhdojmë të punojmë me vendosmëri për të mbështetur stabilitetin e Kosovës, brenda kufijve të mandatit tonë dhe për të kontribuar në sigurinë e popullatës së saj nga të gjitha komunitetet, thuhet më tutje në përgjigjen e EULEX-it për Shqip.com