Escobar pas takimit me presidenten: SHBA-të e mbështesin Kosovën në procesin e dialogut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Me këtë rast në konferencën për media, Escobar ka thënë se ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë agjendë e demokracisë.

“Shpreha mbështetjen e SHBA-së për solodaritetin në kohë krize, por edhe mbështetjen tonë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Mendoj se ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë agjendë e demokracisë. E falenderoj Kosovën” tha Escobar.

Ndërsa presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është pala konstruktive në dialogun me Serbinë.

“Kam ritheksuar se Kosova është dhe ka qenë çdo herë e gatshmë të rrisë angazhimin për intesifikimin e procesit të dialogut. Problematike mbetet refuzimi i Serbisë për shfuqizimin e strukturave kriminale, që po i mbështet politikisht dhe financiarisht”, tha Osmani.

Shtetet e Bashkuara sipas Osmanit nuk kanë aleat më të madh se Kosovën.

Takimi me presidenten e shtetit është në kuadër të takimeve të Escobarit me liderët e institucioneve dhe përfaqësuesit e opozitës.

Pas këtij takimi ai do të takohet me kryeministrin Kurti.