Escobar nuk komenton situatën në veri të vendit

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nuk ka komentuar situatën e fundit në veri të vendit.

Pas takimit të zhvilluar me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ai është shprehur se kjo vizitë është e rregullt.

“Nuk kam ndonjë koment. Jam pjesë e një angazhimi rutinor tashmë këtu. Jemi partnerë të mirë dhe është bukur që të qëndrojmë në komunikim të vazhdueshëm. Do të kem më shumë të them pak më vonë pasi do të kemi edhe disa takime, pastaj do të dikutojmë” ka thënë Escobar.

Nga ana tjetër, Presidenca përmes një njoftimi ka thënë se Osmani ka biseduar me Escobarin për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe ka shprehur nevojën për heqjen e menjëhershme të barrikadave.

Në takimet e Escobarit me Osmanin e Kurtin mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.