Erdogan: Turqia ndalon luftanijet e vendeve ndërluftuese të hyjnë në Detin e Zi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij do të zbatojë një konventë ndërkombëtare që lejon Turqinë të mbyllë ngushticat në hyrje të Detit të Zi për luftanijet e “vendeve ndërluftuese”.

Konventa e Montreux e vitit 1936 i jep Turqisë të drejtën për të ndaluar anijet luftarake të përdorin Dardanelet dhe Bosforin gjatë kohës së luftës, raporton Euronews.

Ukraina i ka kërkuar Turqisë të zbatojë traktatin dhe të ndalojë anijet luftarake ruse.

Disa anije ruse kanë lundruar tashmë nëpër ngushticat drejt Detit të Zi në javët e fundit dhe nuk ishte e qartë se sa ndikim do të kishte vendimi i Turqisë për mbylljen e ngushticave në konflikt.

Konventa parashikon gjithashtu një përjashtim për anijet e Detit të Zi që kthehen në port.

Erdogan këmbënguli se vendi i tij “nuk do të heqë dorë” nga marrëdhëniet e tij as me Rusinë, as me Ukrainën.

Turqia ka kritikuar agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë, por gjithashtu është përpjekur të balancojë lidhjet e saj të ngushta me Ukrainën me interesat e saj për të mos prishur marrëdhënien e saj të brishtë ekonomike me Rusinë.