Elezi i KQZ-së: Rezultatet e sotme nuk janë përfundimtare

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në konferencë për media

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, është deklaruar rreth rezultateve të para të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit me anë të një konference për media, njofton Shqip.com.

Elezi thotë se rezultatet të cilat po shfaqen në aplikacionin e KQZ-së ku qytetarët mund t’i shohin online, janë vetëm rezultate preliminare, ku nuk përfshihen votat me kusht, me postë dhe ato të personave me aftësi të kufizuara dhe se asgjë nuk është përfundimtare.

“Dua t’i njoftoj qytetarët e Republikës së Kosovës se rezultatet që po shfaqen në aplikacionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë vetëm rezultate preliminare”, ka thënë Elezi para mediave.

“Pra rezultatet përfundimtare shpallen nga KQZ pas verifikimit dhe numërimit të votave me kusht, votave me postë, votave të personave me nevoja të veçanta, pas përfundimit të të gjitha procedurave të qendrën e numërimit dhe të rezultateve si dhe pas shqyrtimit dhe vendosjes lidhur me ankesat eventuale të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre”, shtoi ai.

Zgjedhjet preliminare të publikuara nga KQZ e që ende nuk është arritur të numërohen në të gjitha komunat, kanë nxjerrë disa parti me fitore bindëse, sikurse ajo e PDK-së në Mitrovicë, e në Ferizaj si dhe ajo e LDK-së në Lipjan, teksa dhjetëra komuna të tjera pritet të shkojnë në balotazh. /Shqip.com