CNN shkruan për situatën në veri të Kosovës

Mediumi i njohur “CNN” ka shkruar lidhur me situatën e krijuar së fundi në veri të Kosovës.

Në artikull, përmendet edhe kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit ndaj forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe KFOR-it që të garantojnë lirinë e lëvizjes pasi akuzoi grupet kriminale për barrikadim.

CNN thotë se në komuniteti serb në Kosovë kanë bllokuar rrugët dhe personat e armatosur dhe me maska kanë shkëmbyer zjarr me Policinë gjatë fundjavës si shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq.

“Një paqe e brishtë është ruajtur në Kosovë që kur shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 pas luftës së viteve 1998-99 në të cilën NATO ndërhyri për të mbrojtur shumicën shqiptare të Kosovës. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, thuhet në artikullin e CNN.

Krahas kësaj, përmendet edhe shok-bomba e hedhur ndaj një patrulle të EULEX-it në veri.

Me fillimin e tensioneve të reja, CNN thotë se  BE, Shtetet e Bashkuara dhe NATO kërkuan përmbajtje nga të dy palët dhe kërkuan heqjen e barrikadave.

Mediumi i njohur thotë se kryetarët serbë në komunat veriore të Kosovës, së bashku me gjykatësit lokalë dhe rreth 600 policë, dhanë dorëheqjen muajin e kaluar në shenjë proteste lidhur me një masë të qeverisë së Kosovës për të zëvendësuar targat e makinave të lëshuara nga Beogradi me ato të lëshuara nga Prishtina.

Krahas kësaj, përmendet që Kosova më pas ra dakord të shtyjë vendimin dhe Beogradi tha se do të ndalë lëshimin e numrave të rinj serbë të makinave.