Çka përmbajnë tri marrëveshjet e nënshkruara në Procesin e Berlinit?

Pas shumë vitesh bllokade, qytetarët e Kosoëvës dhe ata të Bosnje e Hercegovinës, do të mund të lëvizin pa regjim vizash.

Dy vendet e lartpërmendura, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbi janë pjesë e nënshkrimit të tri marrëveshjeve të nënshkruara në kryeqytetin gjerman, ku nikoqir ishte kancelari Olaf Scholz.

Bazuar në rregullat e BE-së, marrëveshjet që janë nënshkruar sot janë ato për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas, duke hequr një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda rajonit.

Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale, bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

E bazuar në direktivën e BE-së 2005/36/EC për njohjen e kualifikimeve profesionale, kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve që në shtetin pritës të ushtrojnë të njëjtin profesion për të cilin janë kualifikuar në shtetin amë dhe ta realizojnë këtë në kushte jo më pak të favorshme se sa qytetarët e shtetit pritës.

Në fjalën e tij hapëse, kancelarin gjerman, Olaf Scholz tha se një e ardhme e përbashkët pa kufij është vendimtare për Ballkanin Perëndimor.

Scholz shtoi se gjatë vitit të parë të mandatit të tij ka biseduar me shumë krerë qeverish dhe shtetesh të rajonit, veçanërisht për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, sepse stabiliteti i rajonit, siç tha ai, nuk mund të shihet i ndarë nga ai i stabilitetit të Evropës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar pas takimit në Samitin e Berlinit.

Ajo ka shkruar se i vjen mirë që të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor gjinden në Berlin, një javë pas vizitës së saj në rajon.

Presidentja Leyen, shprehet se integrimi ekonomik fillon me energjinë.

“Paketa jonë e Mbështetjes së Energjisë prej 1 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor do të na ndihmojë të formojmë të ardhmen tonë të përbashkët energjetike”, ka shkruar Leyen në Twitter.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti, është shprehur se samiti i Berlinit është shumë i rëndësishëm.

“I nënshkruam tri marrëveshje që ka dy vjet që negociohen, bëhet fjalë për marrëveshjen për qarkullim të lirë në të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor me karta të identitetit apo me letërnjoftime, pastaj bëhet fjalë për marrëveshjen e cila bën njohjen e kualifikimeve të institucioneve të arsimit të lartë, dhe marrëveshjen tjetër për njohjen e kualifikimeve profesionale”, ka thënë Kurti.

Më tutje Kurti është shprehur se nuk na nevojitet alternativë të tjera pos Procesit të Berlinit.

Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se marrëveshjet e arritura, do të kontribuojnë në forcimin dhe bashkëpunimin me BE-në.

“Presidentja e Republikës së Kosovës ka mirëpritur marrëveshjet e arritura sot në Berlin, në kuadër të Procesit të Berlinit, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal” thuhet në njoftim.

Megjithatë, marrëveshjet e nënshkruara në kryeqytetin gjerman, hyjnë në fuqi pas kryerjes së procedurave të brendshme të ratifikimit në secilin nga gjashtë shtetet.

Që nga viti 2014, Procesi i Berlinit ka synuar përmirësimin dhe intensifikimin e integrimit rajonal.

Ai është krijuar për të ndihmuar në përshpejtimin e harmonizimit më të ngushtë të të gjithë rajonit me BE-në.

Procesi i Berlinit përqendrohet në këtë kontekst në fusha të tilla si zhvillimi i infrastrukturës dhe lidhja, biznesi, shkëmbimet rajonale të të rinjve, pajtimi dhe shkenca.