Çeku tregon për mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar lidhur me situatën në veri

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka folur për mbledhjen e kabinetit qeveritar në të cilën u diskutua për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Në një emision në RTV Dukagjini, Çeku tha se si Qeveri janë koordinuar në veprimet që duhet të ndërmerren në mënyrë që të mos eskalojë situata në veri.

“Ne, patëm një mbledhje të qeverisë, ku u vlerësu situata e përgjithshme, dhe u koordinuam për veprimet që duhet t’i bëjmë në mënyrë që mos te kemi eskalim të situatës atje, e kemi një lloj realiteti që Serbia përmes Listës Srpska që është zgjatim i politikës së Brogradit në Kosovë, tenton të krijojë një realitet të ri”, tha Çeku.

Çeku tha se duhet të angazhohemi bashkërisht që të rikonfirmohet shtetësia e Kosovës.

“Ajo që çfarë të gjithë  duhet të angazhohemi bashkërisht është që të rikonfirojmjë që shtetësia e Kosovës është e padiskutueshme, është e pakthyesh dhe ne duhet të bëjmë më të mirën tonë si shoqëri, si institucione që qytetarët e Kosovës përfshirë serbët e Kosovës t’i trajtojmë në mënyrë më të mirë të mundshme, të vazhdojmë t’i ofrojmë shërbimet për qytetarët e Kosovës në të gjithë territorin përfshirë veriun dhe të jemi të kujdesshëm që të mos realizohen skenarët e Serbisë në Kosovë”, tha Çeku.

Çeku tha se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës janë të orkestruara nga Beogradi.

“Besoj që zhvillimet e fundit janë një skenar që orkestrohet direkt nga Beogradi me qëllimin e vetëm që të krijohen trazira, të destabilizohet situata e sigurisë në Kosovë, në veriun e shtetit tonë por jam i shumë i bindur që gatishmëria e institucioneve është në nivelin më të mirë të mundshëm”.

Tutje, ministri i  Kulturës tha se nuk ka diçka të re por vetëm një vazhdimësi e politikës destruktive të Serbisë në raport me Kosovën.

“Nuk kemi diçka të re, është një vazhdimësi e politikës destruktive të Serbisë në raport me Kosovën por sikurse në të kaluarën edhe këtë herë edhe në të ardhmen do të fitojmë karshi Serbisë”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën kërkuar nga Kosova shtyrje të afatit për targa, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh.

Të njëjtën linjë me SHBA-në qëndron edhe Bashkimi Evropian. Ata e quajnë legjitim vendimin për targa, por thonë se kjo duhet të  bëhej brenda një periudhe kohore prej 12 muajsh.

Kjo situatë ka ndikuar edhe në gjendjen në veri të Kosovës. Qeveria ka pezulluar drejtorin e Policisë Rajonale në Veri, Nenad Gjuriq, për shkak se nuk e zbatonte vendimin për qortim ndaj qytetarëve serb.

Në shenjë proteste, Lista Serbe ka kërkuar që të gjithë serbët të bojkotojnë institucionet e Kosovës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë zhveshur dje uniformat e tyre.

Nga detyra e ministrit të Kosovës ka dhënë dorëheqje edhe Goran Rakiq, ndërsa gjatë ditës së sotme, kësaj iu janë bashkuar edhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri.

Sot gjatë ditës është mbajtur edhe një protestë në veri, nga e cila u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.