Borrell pret fleksibilitet nga Kurti dhe Vuçiqi

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

Në Bruksel ka nisur takimi i përbashkët midis liderëve të Kosovës, Serbisë dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian.

Fillimisht ka pasur takime dypalëshe midis përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe liderëve. Takimi midis Kurtit dhe Borrellit është mbajtur nga ora 09:30, ndërkaq në 10:00 shefi i diplomacisë evropiane është takuar me Vuçiqin.

Pas takimeve dypalëshe, Borrell tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të raporteve.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në Twitter.

Ndërkaq, presidenti serb Vuçiq tha se ka shpresë se do të arrihet ndonjë zgjidhje, por shtoi se është “skeptik”.

Pas këtij takimit trepalësh, mund të ketë përsëri takime dypalëshe, sipas nevojës.

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian më herët është bërë e ditur se takimi trepalësh do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit, gjatë takimit do të trajtohen çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.