Avokati i akredituar nga Specialja: Gucati dhe Haradinaj kanë të drejtë ankese pas aktgjykimit nga Specialja

Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

Pas shpalljes fajtor nga Gjykata Speciale, ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe ish-nënkryetari Nasim Haradinaj kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Apelit pranë Dhomave të Specializuara.

Kështu ka thënë për SHQIP.com, avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Skender Musa.

Musa në një përgjigje për SHQIP.com, ka thënë se palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.

“ Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj pas vendimit që është marrë, kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh. Kjo pasi, vendimi i marrë është i shkallës së parë”, tha ai.

Ndërsa, sqaron se Gucati dhe Haradinaj mund të ankohen në Gjykatën e Apelit pranë dhomave të Specializuara.

“ Avokatët e Haradinajt dhe Gucatit kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Apelit të Dhomave Speciale”, u shpreh ai për SHQIP.com.

Theksojmë se Gjykata Speciale sot ka dhënë aktgjykimin përfundimtar ndaj Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucatit.

Speciale i ka dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim ish-kryetarin dhe ish-nënkryetarin e OVL-UÇK-së.

Sipas Speciales, ata akuzoheshin se në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale.

Më 25 shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Paraqitja e parë e Haradinaj si i dyshuar u mbajt më 29 shtator 2020 dhe paraqitja e parë e Gucati si i dyshuar u mbajt më 1 tetor 2020.