Australia vendos sanksione të reja ndaj zyrtarëve e lartë rusë

(Photo by Sefa Karacan/Anadolu Agency/Getty Images)

Australia vendosi sanksione të reja ndaj 67 zyrtarëve rusë të enjten, duke e çuar numrin e përgjithshëm të individëve dhe subjekteve të sanksionuar që nga pushtimi rus i Ukrainës në afër 600.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme.

Sanksionet e fundit synojnë biznesmenë rusë, si dhe zyrtarë të lartë ushtarakë dhe qeveritarë, duke përfshirë zëvendëskryeministrin, Dmitry Grigorenko, Ministrin e Ekonomisë, Maxim Reshetnikov dhe politikanin e lartë rus, Alexander Babakov.

Midis tyre në listat e fundit është gjeneral-koloneli, Mikhail Mizintsev, i quajtur përgjegjës për sulmet ndaj civilëve të pafajshëm, duke përfshirë bombardimin e teatrit në Mariupol.

“Ky raund i fundit i sanksioneve pason shfaqjen e provave të krimeve të luftës të kryera nga Rusia në Bucha dhe qytete të tjera përreth Kievit,” thuhet në deklaratë. “Australia i dënon këto mizori në termat më të ashpër të mundshëm. Tmerri është pothuajse i papërshkrueshëm dhe ne e shohim atë çdo ditë. Por unë mendoj se australianët mund të jenë krenarë për përpjekjet që vendi ynë po bën për të mbështetur Ukrainën,” tha Ministrja e Jashtme, Marise Payne.

Disa liderë botërorë kanë bërë thirrje për rritje të sanksioneve dhe hetimeve të krimeve të luftës ndaj Rusisë, pas mizorive të supozuara në qytetin Bucha, në veriperëndim të kryeqytetit Kiev.

Menjëherë pas tërheqjes së trupave ruse nga Bucha, trupat e civilëve u gjetën të shpërndara nëpër një rrugë dhe u zbulua një varr masiv, me kryebashkiakun e qytetit që tha se mund të kishte deri në 300 viktima të varrosura në vend./Shqip.com