Australia vendos më shumë sanksione ndaj zyrtarëve rusë 

Australia vendosi sanksione të mëtejshme dhe ndalime udhëtimi kundër anëtarëve të parlamentit rus dhe separatistëve ukrainas të mërkurën.

Listimet e reja do të synojnë 110 individë, duke përfshirë 34 “anëtarë të lartë të lëvizjeve të udhëhequra nga Rusia” në Donetsk dhe Luhansk.

“Këta individë kanë shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përmes pohimit të tyre të autoritetit qeveritar mbi zonat e Ukrainës pa autorizimin e qeverisë ukrainase”, thuhet në deklaratë, shkruan CNN.

Aeroporti i Donetskut është zona më e goditur në lindje të Ukrainës

Mes të sanksionuarve janë edhe 76 anëtarë të Dumës së Shtetit, parlamentit të Rusisë. Individët e sanksionuar votuan “për të njohur Donetsk dhe Luhansk si shtete të pavarura”, thuhet në deklaratë.

Të martën, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Carpenter tha se SHBA kishte raporte të inteligjencës “shumë të besueshme” se Rusia do të përpiqet të aneksojë rajonet  e Donetsk dhe Luhansk  “diku nga mesi i majit”.

Politikani rus Oleg Matveichev u sanksionua gjithashtu nga Australia për përhapjen e dezinformatave dhe propagandës.

“Me këto lista të shpallura, qeveria do të ketë sanksionuar 812 individë dhe 47 subjekte në përgjigje të luftës ilegale të Rusisë”, thuhet në deklaratë.

Australia është njëra nga shumë vende, që kanë vendosur vazhdimisht  sanksione të reja ndaj Rusisë  që nga fillimi i pushtimit.

Më 14 prill, Australia sanksionoi 14 ndërmarrje shtetërore ruse me rëndësi strategjike dhe ekonomike./Shqip.com