Ambasadorja amerikane në OKB thotë se Rusia ka përdorur armë të ndaluara, por Biden nuk e akuzon Putinin për krime lufte

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Linda Thomas-Greenfield u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara që të mbajnë Rusinë përgjegjëse për pushtimin e Ukrainës.

Këtë dhe shumë të tjera – ajo i tha në një seancë speciale të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Ukrainën.

Thomas-Greenfield tha se forcat ruse po shkatërrojnë infrastrukturën jetike për popullin ukrainas dhe presidenti rus Vladimir Putin duket i gatshëm të rrisë pushtimin, shkruan CNN.

“Ne kemi parë video të forcave ruse duke lëvizur armë jashtëzakonisht vdekjeprurëse në Ukrainë, e cila nuk ka vend në fushën e betejës. Kjo përfshin municione thërrmuese dhe bomba vakum – të cilat janë të ndaluara sipas Konventës së Gjenevës”, tha ajo.

Ambasadorja po ashtu shtoi se “ne kemi parë kolonën vdekjeprurëse 40 milje të gjatë duke sulmuar drejt Kievit. Presidenti Putin vazhdon të përshkallëzohet – duke i vënë forcat bërthamore të Rusisë në gatishmëri të lartë, duke kërcënuar se do të pushtojë Finlandën dhe Suedinë. Në çdo hap të rrugës, Rusia ka tradhtuar Kombet e Bashkuara. Veprimet e Rusisë janë kundër gjithçkaje që përfaqëson ky organ”.