AKR e pakënaqur me rezultatin në Prishtinë: Fituam 7% për Asamble

Nënkryetari i AKR-së, Selim Pacolli dhe kandidati për Prishtinën, Gëzim Mehmeti në konferencë për media

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Selim Pacolli, është deklaruar rreth situatës së krijuar pas zgjedhjeve të sotme lokale, ku njoftoi se kjo parti ka fituar shtatë për qind për asamblist, njofton Shqip.com.

Pacolli në një konferencë të përbashkët me kandidatin e kësaj komune për krytar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti, tha se pavarësisht rezultatit final që do të del nga këto zgjedhje, t’i pranojnë si rezultat dhe do të vazhdojnë të punojnë kështu me punë të mira të cilat janë bërë deri sot në Prishtinë.

“Ky rezultat akoma nuk është final. Mirëpo këto janë të dhënat të cilat ne i posedojmë nga 71 kuti gjithsejtë të numëruara nga 238 sosh, që neve na nxjerrin diku afër 7 për qind në nivel të komunës së Prishtinës, në këtë rast për asamblist”, theksoi ai.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga AKR, Gëzim Mehmeti, tha se nuk janë të kënaqur me rezultatin, por theksoi se do të vazhdojnë të punojnë për kryeqytetin.

“Nuk jam i kënaqur me rezultat mirëpo i respektojmë shumë vullnetin e qytetarëve të Prishtinës, me rëndësi është qyteti i Prishtinës, me rëndësi Prishtina. Do të vazhdojmë punën tonë, asnjëherë nuk ndalemi për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve do të jemi pjesë e asamblesë. Sipas rezultateve jemi njëjtë qysh kemi qenë në 2017”, tha ai.

AKR në rezultatin preliminar të KQZ, nuk ka fituar më shumë se 1.89 për qind. /Shqip.com