Ahmeti: Nëse nuk del Kurti në konferencë, VV e konsideron situatë të keqe

Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti

Kryetari aktual i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, vlerëson se në qoftëse Lëvizja Vetëvendosje do ta konsideronte fitore garën e sotme komunale, në konferencë do të dilte lideri i kësaj partie, Albin Kurti, njofton Shqip.com.

Ai shton se në momentin që del dikush tjetër në adresim për shtyp, duhet të konsiderohet situatë e keqe.

Kështu është shprehur ai në një postim në Twitter, derisa komentoi zhvillimet e fundit që po ndodhin sa i përket zgjedhjeve lokale që u mbajtën të dielën në Kosovë.

“Nga përvoja: nqs doni me dit a e konsideron LVV ditën e sotme fitore, përcjellni konferencat për media të LVV. Në qoftë se del Albini është fitore për ta. Nqs del dikush tjetër atëherë e konsiderojnë si situatë të keqe”, shkroi Ahmeti.

Disa orë pasi u mbyllën qendrat e votimit, e pasi dolën edhe rezultatet e EXIT POLL-eve të prezantuara në media, deputetja e Lëvizjes Vetëvendsoje, Fitore Pacolli udhëhoqi një konferencë për media, ku tha se kjo parti do të fitojë Prishtinën dhe shumicën e komunave më të mëdha të Republikës së Kosovës, pa shkuar fare në balotazh.