Ahmeti i uron fitoren Ramës, i ofron bashkëpunim

Kryetari i deritanishëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti

Kryetari i deritanishëm i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka uruar Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për fitoren e zgjedhjeve lokale, njofton Shqip.com.

Ahmeti i ka ofruar Ramës bashkëpunim për informata dhe sqarime.

Me anë të një postimi në Facebook, Ahmeti i uroi suksese Ramës duke shpresuar se do t’i përmbushë premtimet e dhëna.

Duke thënë se “në një natë të tillë është lehtë ta godasësh humbësin e zgjedhjeve”, Ahmeti e përgëzoi Arben Vitinë për punën, fushatën dhe rezultatin.

Ai tha se duke e njohur, e di se nuk do të jetë fundi i angazhimit të tij publik.

“Tashështë e qartë – kryetari i ri i Prishtinës do të jetë Përparim Rama. Përparimit i uroj suksese në mandatin e radhës dhe natyrisht se do të përgjigjem sa herë kanë nevojë për informata e sqarime. Po ashtu i uroj përmbushjen e premtimeve”, ka shkruar Ahmeti.

“Në natë të tillë është lehtë me e godit humbësin e zgjedhjeve. Une sonte e përgëzoj Arbenin për punën, fushatën e rezultatin. Duke e njohur, e di se nuk do të jetë fundi i angazhimit tij publik”, ka thënë ai në një postim në Facebook.

Ahmeti po ashtu ka thënë se në javët në vijim do të ketë organizim të pranim-dorëzimit të detyrës.